Auditori publikon rezultatet e auditimit për institucionet publike, në nivelin lokal janë përfshirë edhe komunat në veri

Për herë të parë Zyra Kombëtare e Audtimit ka dhënë konkluzion të kundërt tek organizatat buxhetore për Komunën e Prishtinës dhe të Vushtrrisë, për faktin se këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk janë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Kështu ka bërë të ditur, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, e cila ka shpalosur rezultatet e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të institucioneve publike të nivelit qendror, atyre të nivelit lokal dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2023.

Spanca në një konferencë për media ka theksuar se kanë kryer 115 raporte gjithsej, prej tyre 85 raporte të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të organizatave buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit.

“Kemi kryer auditimin dhe publikuar gjithsejtë 115 raporte të auditimit. Prej tyre, 85 raporte të auditimit për PVF-të Organizatave Buxhetore (OB), 13 të ndërmarrjeve publike dhe 8 auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Gjithashtu në kuadër të planit janë audituar edhe 9 projekte të donatorëve. Nga këto auditime janë dhënë 40 opinione të kualifikuara, 63 të pamodifikuar, dhe 4 opinione të kundërta. Prej 47 Organizatave Buxhetore të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtet”, tha Spanca.

Mes tjerash, Spanca ka thënë se për 32 komunat e audituara, përfshirë edhe katër komunat në pjesën veriore të vendit, kanë dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara.

“Sa i përket auditimeve të kryera në nivelin lokal, ju njoftojmë se për 38 e komunat e audituara, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës kemi dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara… Përderisa, sa i përket mendimit nëse komunat kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi, për 3 komuna kemi dhënë konkluzion pozitiv, për 33 të tjera kemi dhënë konkluzion të kualifikuar që do të thotë se jo të gjitha aktivitetet e komunave ishin udhëhequr dhe kryer në pjatueshmëri me kornizën ligjore. Ndërsa, ajo çka duhet ta theksoj për komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë kemi dhënë konkluzion të kundërt. Është hera e parë që ZKA-ja jep konkluzion të kundërt tek organizatat buxhetore dhe kjo për faktin se këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Mangësitë e identifikuara ishin materiale dhe të përhapura në secilën kategori të shpenzimeve”, shtoi Spanca.

Ndërkaq, Spanca ka thënë se këtë vit kanë audituar edhe tri ndërmarrjet publike, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A.

“Duhet theksuar se këtë vit janë tri ndërmarrje publike që auditohen për herë të parë nga ZKA, si Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A. Bazuar në rezultatet e auditimit, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë NP, për katër të tjera kemi dhënë opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion pozitiv pra të pamodifikuara. Gjetjet kryesore me ndikim në opinion të auditimit tek ndërmarrjet janë: mos rivlerësimi i pasurive, mangësi në regjistrin e pasurive, mos provizionim i llogarive të arkëtueshme tregtare, mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme, mungesë e të dhënave të plota për grantet, mos prezantim i saktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë dhe nënvlerësimi i të hyrave nga shitja”, ka përfunduar Spanca.

Ndërkaq, sa i përket planit të auditimit për sezonin 2023-2024 gjatë konferencës është bërë e ditur se do të përfundoj më 31 gusht të këtij viti./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA