Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë

Përgatiti: Arton Hamiti

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji ishte miratuar në shkurt të 2023-tës dhe nga ajo kohë ndodhej për shqyrtim në Kushtetuese.

“Gjykata ka vlerësuar si në kundërshtim me Kushtetutën vetëm pjesë të saktësuara të katër (4) neneve të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nenet 2 (Fushëveprimi), 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi), 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) dhe 34 (Procedura në shkallën e parë) të tij, duke marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tyre, dhe faktin që pa ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtave nga Kuvendi, Ligji i kontestuar është i pazbatueshëm, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila shkroi se byroja do të bëhet.

“Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej, vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdorur e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e tërësishëm të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, vlerësohet si vulë e dështimit të kësaj qeverie për reforma në drejtësi.

Ndryshe, PDK-ja e pati kontestuar në tërësi ligjin, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se dërgimi i ligjit në Kushtetuese “ka qëllim zvarritjen e reformës në drejtësi”.

Ligji parashihte rregullimin e mënyrës dhe procedurat e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe themelimin, organizimin dhe kompetencat e kësaj byroje.

Ndryshe, Byroja e konfiskimit të pasurisë ka qenë një prej premtimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA