Përgatiti: Donita Bytyqi
Në këtë gjendje përfunduan tri vetura, në njërin parking, në lagjen Kalabria në Prishtinë, të mërkurën. Kurse të tjerat shpëtuan pak më mirë.
Si pasojë e tymit nga zjarri, rreth 30 banorë të kompleksit u desh të marrin ndihmë mjekësore. Por asnjërit prej tyre nuk iu keqësua gjendja.
Ata është dashur edhe të evakuohen, pasi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, tregoi se nga parkingu poshtë, zjarri përfundoi edhe në katet e sipërme.
“Në të filluar operacionin, pamë se në zjarr janë përfshirë tri vetura. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kemi arritur t’i qetësojmë ata edhe bazuar në prioritete, afërsisht 30 prej tyre, kryesisht të moshuar, gra shtatzëna, persona me probleme shëndetësore dhe fëmijë i kemi evakuuar nga ndërtesa dhe kemi ofruar tek Urgjenca Mjekësore”, ka thënë Gashi.
Nuk dihen ende shkaqet, por ka dyshime se rasti është zjarrvënie e qëllimshme. Njëra nga veturat e djegura ishte në pronësi të një zyrtari të Administratës Tatimore të Kosovës. Megjithatë, policia konfirmoi se është duke e hetuar rastin.
Një qytetar që jeton afër, në kushte anonimiteti, tha se intervenimi për shuarje të zjarrit ka qenë i vonshëm.
Por zëdhënësi rajonal në Prishtinë, Agron Borovci, tha se Policia ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht po punohet në hetimin e zbardhjes së rastit.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin, si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar çfarëdo lloj rreziku”, tha Borovci.
Disa orë pasi qëndroi i bllokuar, parkingu u lirua për qarkullim, edhe pse veturat e djegura ishin ende në vendin e ngjarjes.