Përgatiti: Sara Shehu
Ende pa u funksionalizuar, objekti në ndërtim e sipër i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është përfshirë nga zjarri. Të lënduar nga zjarri nuk pati, por vetëm dëme materiale.
Sipas njoftimit të Komunës së Lipjanit, por edhe të Policisë zjarri u shkaktua gjatë punimeve në izolim.
“Sa i përket zjarrit i cili sot në mëngjes ka kapluar objektin e ri të QKMF-së në Lipjan, ju informojmë se zjarri është shkaktuar gjatë punimeve me izolim të jashtëm. Zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Aty është djegë vetëm stiropolli, dëme tjera nuk ka, sepse aty nuk ka pas diçka tjetër. Punimet e objektit do të vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.
Në anën tjetër, qytetarët fajësuan Komunën për pakujdesi.
“Kur të nisin ndërtimin e një objekti të tillë duhet të marrin masa. Megjithatë nuk e di se çfarë do të ndodhë me këtë rast, por që aty duhet të krijohet material më i sigurt, të ketë punime të sigurta”, tha një qytetar.
Ka edhe qytetarë që nuk ishin në dijeni për këtë situatë.
Pavarësisht incidentit të së mërkurës, ky projekt i komunës së Lipjanit i cili kushton 1.8 milion euro, pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2025. Punimet në këtë objekt kanë filluar vitin e kaluar.