PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Zyra e Rregullatorit për Energji konstatoi tetë shkelje rregullash dhe legjislacioni nga KEK-u, në raportin që arsyeton gjobën në vlerë 3.2 milionë euro.
Dokumenti konfirmon raportimin e ATV-së se KEK-u tregtoi me kompaninë sllovene HSE, e cila nuk është e licencuar në Kosovë.
Po ashtu, raporti konstaton se KEK-u mori energji nga marrëveshja me KESH-in edhe kur s’kishte nevojë dhe e shiti atë në tregun e lirë.
Vitin e kaluar ATV-ja kishte raportuar për kontratat në vlerë milionëshe të KEK-ut dhe KESCO-s për blerje të energjisë nga HSE-ja, me mjetet nga subvencioni i Qeverisë.
Vetëm në periudhën dhjetor 2021-janar 2022, KEK-u kishte nënshkruar 22 kontrata për blerjen e energjisë nga HSE-ja, në vlerë të përgjithshme 2.4 milionë euro.
Raporti përfshin raste të shitjes së energjisë nga KEK-u në drejtim të HSE-së.
Në monitorimin e saj, ZRRE-ja ka gjetur se KEK-u kishte marrë energji elektrike nga marrëveshja për shkëmbim dhe depozitim me Shqipërinë, edhe kur nuk ka pasur nevoja të brendshme, dhe e ka shitur atë në tregun e lirë.
Veprim ky që përbën shkelje të marrëveshjes KEK-KESH.
Raporti konstaton se gjatë tregtimit, KEK-u ka përzgjedhur oferta fituese në kundërshtim me procedurat e tregtimit, duke mos pasur kriter çmimin më të favorshëm, por sasinë e energjisë.
Po ashtu, në kundërshtim me procedurat e tregtimit të energjisë, KEK-u në disa raste, pavarësisht ofertave valide, ka përsëritur procesin e shitjes së energjisë.
ZRRE-ja konstaton se KEK-u, gjenerimi dhe furnizimi, kanë nënshkruar marrëveshje të brendshme në kundërshtim me Ligjin për Energjinë, në kontestin e obligimeve të licencës si Furnizues i Mundësisë së Fundit – për të furnizuar përkohësisht ndërmarrjen Ferronikeli.