Përgatiti: Arian Hajdaraj
Të shumtë janë në numër, e të shumta janë edhe veprat penale që rëndojnë mbi ta.
Ndaj Bekë Salihajt, Adhurim Krasniqit, Valdrin Beqirit, Arianit Pllanës, Adnan Murtezit, Fidan Cakollit, Gentrit Ismajlit dhe Diar Thaçit, të cilët akuzohen për hedhje të granatave në dy lokale në vitin 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykim dënues.
Më së shumti u dënua Arianit Pllana e më së paku Lundrim Beqiri.
Arianit Pllana me 4 vjet e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprat penale “Detyrim”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarim i rremë”, tha kryetarja e Trupit Gjykues, Suzana Çerkini.
Ndërsa, nga akuza u liruan Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti.
“Nga akuza janë liruar Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në organizim të grupit kriminal, veprime përgatitore të veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Detyrim” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Çerkini.
Ndonëse u lirua nga akuza për hedhje të granatave, Beqiri megjithatë u shpall fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave narkotike.
Fidan Cakollit, Gentrit Ismajlit dhe Diar Thaçi janë dënuar me nga 3 vjet burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Adnan Murtezi është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shkurt 2023, grupi kriminal i organizuar, në qershor të vitit 2022 hodhi granata dore në lokalet “Missini” dhe “Riza Hair Salon” me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm.






