Banorët e Baicës së Drenasit, këtë vend e quajnë “Te rampa”.
Por në këtë rrugë nuk ka fare laurë, që do ta bllokonte kalimin e hekurudhës, kur këndej kalon treni i linjës Prishtinë-Pejë.
Qytetarët thonë se po rrezikohen me jetë, në mungesë të kësaj shenje.
“Unë personalisht kam qenë me familje pardje, ka qenë tu m’shkelë treni për shkak se pamja kur t’vjen treni këtu nuk duket, sepse janë do pemë”, tha Xhevdet Kiqina, banor.
‘’Ka pasur aksidente para 4 muaj më duket, por ka shpëtuar, por ma shkurt është rrezik. Komuna s’ka ndërmarrë masa për rampa, mirëpo ishallah bohet diçka’’, thotë Elmih Halilaj, kalimtar rasti.
Banorët tregojnë se i kanë njoftuar institucionet për këtë gjendje, por ende nuk është ndërmarrë asgjë. Ndërsa, ankohen edhe për rrugën e dëmtuar.
“Kam pasur raste kur për pak kam shpëtuar nga treni. Komuna përderisa nuk e ka shtruar rrugën, nuk ka marrë masa as për rampa, ka ndodhur një rast në vitin e kalum kur një kusheririn timin e ka goditë treni”, tha Fatmir Hajdaraj: kalimtar rasti.
Nga komuna e Drenasit thanë për ATV-në se e mirëmbajnë vendkalimin e hekurudhës me shenjat vertikale, por vendosja e laurës nuk është kompetencë e tyre, por e ndërmarrjes Infrakos, të cilën e njofton çdo tre muaj për gjendjen në terren.
Ndërsa, nga Infrakos konfirmuan se tashmë e ka një plan për sigurim të vendkalimit.
“Ky kryqëzim është propozuar për sigurim automatik (vendosje të laurave) nga ana e Infrakos, në kuadër të një projektit të Komunitetit të Transportit për Ballkanin Perëndimor, përmes programit JASPER, i cili projekt brenda një periudhe të shkurtër kohore pritet të realizohet”, thuhet në përgjigjen nga Infrakos.
Sipas të dhënave të komunës dhe Infrakosit, në këtë rrugë nuk ka pasur asnjë aksident me fatalitet, por kanë ndodhur të tilla me lëndime dhe dëme materiale. /atvlive.tv







