Përgatiti: Arian Hajdaraj
Qeverisë të martën iu hap rruga që me Turqinë ta negociojë Marrëveshjen për Sigurime Sociale.
Nëse arrihet dakordim mes shteteve e më pastaj të bëhet edhe ratifikimi i marrëveshjes në kuvend, për çka nevojiten 2/3 e votave, dobitë për shtetet e qytetarët me dy nënshtetësi, konsiderohen të jenë disa.
“Dikush që ka punuar në Turqi vendos të jetojë në Kosovë, mund ta marrë pensionin me vete”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Mundëson shkëmbimin e informatave. Njerëzit me dyshtetësi kanë shfrytëzuar vakumin, mungesën e marrëveshjeve që të marrin pensione në të dyja vendet”, tha Murati.
Në fakt, marrëveshje të ngjashme Kosova tashmë ka arritur me disa shtete, përfshirë Zvicrën, Holandën e Belgjikën.
Në këtë mënyrë, sipas studiuesit të Politikës Sociale, Artan Mustafa, shteti po tenton t’i realizojë disa qëllime.
“Një prej qëllimeve të Kosovës është kufizimi i shpenzimit të buxhetit për personat që nuk janë banorë të përhershëm, përmes skemave të pensioneve jokontributdhënëse”, tha Mustafa.
Por, krahas evidentimit të atyre që eventualisht keqpërdorin buxhetin, sipas Mustafës, shteti duhet të fokusohet te përmirësimi i mbrojtjes sociale.
“Qeveritë tentojnë që ta problematizojnë keqpërdorimin prej shoqërisë, por shumë aspekte të sigurimeve sociale çalojnë. Shumë më e rëndësishme, nga këndvështrimi i politikës sociale, duhet të shikohen mangësitë e sigurimeve sociale, që i detyrojnë qytetarët të dalin jashtë vendit”, tha Mustafa.
Sipas burimeve jozyrtare, ATV-ja kupton se janë afërsisht 50 mijë qytetarë që njëkohësisht marrin pensione në Kosovë dhe në një shtet të dytë ku jetojnë. Megjithatë, nuk dihet sa prej tyre marrin pensione jokontributdhënëse.
Më shumë detaje i gjeni ën Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:





