Përgatiti: Driton Sadiku
Katër kosovarë përfunduan në pranga të policisë shqiptare në një aksion të së premtes.
Siç njoftoi policia e Shqipërisë, ata dyshoheshin për kontrabandë me armë.
Gjatë operacionit të titulluar “transportuesi 2” u sekuestruan 10 armë zjarri të llojit pistoletë, municion luftarak, 1 automjet dhe 5 telefona.
Policia e Shtetit tha se gjatë operacionit, në vend-parkimin e një terminali të autobusëve në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit B.K., 28-vjeçar, B.Sh., 20-vjeçar, E.Th., 25-vjeçar dhe M.K., 20-vjeçar, të gjithë banues në Kosovë.
Sipas autoriteteve, i dyshuari me inicialet B.K., shtetas i Kosovës, në autobusin që po drejtohej nga E.TH., kishte futur një çantë brenda së cilës u gjet armatimi.
Më pas, B. K., në bashkëpunim me M.K., kanë përcjellë nga pas autobusin që po i bartte këto mjete.
Siç njoftoi policia shqiptare, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro.
Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.
Rasti tanimë ka kaluar në prokurori.