“Na rrihnin tërë natën me kabllo elektrike, kanë përdorë torturë sikur në shtazë”/ ATV-ja sjell rrëfimet e të burgosurve politikë gjatë vitit 1999

PËRGATITI: ARTON HAMITI 

Rrahje me shkop gome, kabllo elektrike, gypa të ujit e keqtrajtime nga më të ndryshmet kishin përjetuar të burgosurit politikë, gjatë muajve maj e qershor të 1999-ës, në burgun e Prishtinës.

Në mesin e tyre ishte edhe Isak Shabani, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Në orën 22:00 kur binte zilja për të fjetur, 2-3 minuta më pas na merrnin, na lidhin dhe na dërgonin te zyrat e sigurimit shtetëror… ata na rrihnin tërë natën, ndërkohë në mëngjes na kthenin në qeli kinse për të pushuar, por torturat vazhdonin përsëri. E kam një rast të veçantë që kur ka ardhë një gardian shqiptar, më ka pyetur si je… I kam thënë se jemi tu përjetu gjithçka, vetëm me e mbytë veten, se tjetër çka nuk dimë çka me ba”, tha Shabani.

Për keqtrajtimet që dyshohet se i kanë bërë ndaj Shabanit dhe të tjerëve, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj ish-drejtorit të burgut të Prishtinës, Ljubomir Çimburoviq, dhe gardianëve, Predrag Bradiq dhe Millivoje Iviq.

“Kam pasur rastin ta takoj edhe drejtorin e burgut dhe këta gardianë. Me urdhër të drejtorit nga këta gardianë janë rrahur të burgosurit politikë dhe jam rrahur edhe unë. Ka qenë një gardian qe ka përdorë torturë sikur në shtazë dhe ai gardian është quajtur Bradic”, shtoi tutje ai.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar ATV-ja shpjegohen në detaje format e keqtrajtimeve, nga data 24 maj e deri më 10 qershor të 99-tës, në burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit. Veç rrahjes, të burgosurit të cilët ishin sjellë nga burgu i Dubravës, ishin privuar edhe nga ushqimi.

“Agron Ramadani tri ditë rresht kishte qëndruar në objektin e sigurimit të shtetit, ku ishte maltretuar dhe rrahur në forma të ndryshme si me shkop gome, shkop druri, shok elektrik, ia kishin djegur pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave kishte humbur vetëdijen. Tortura më e madhe në këtë burg, përveç rrahjeve kishte qenë mungesa e madhe e ushqimit dhe ujit. Gjatë natës vazhdimisht kishin dëgjuar britma të njerëzve të cilët rriheshin, keqtrajtoheshin dhe torturoheshin nëpër pavijonet e tjera të burgut”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Nga keqtrajtimet, dy nga të burgosurit kishin vdekur. Në aktakuzë përmendet gjithashtu edhe gardiani Dragisha Millenkoviq tashmë i akuzuar për krime lufte, i cili ishte arrestuar vitin e kaluar në Graçanicë./atvlive.tv/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA