Përgatiti: Arton Hamiti
Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk e kanë përmbushur as gjysmën e planit të prokurimit për vitin 2023. Nga 935 aktivitete të tenderimit të planifikuara, vetëm 336 janë realizuar, sipas një raporti të Iniciativës për Progres.
“Për nga vlera, këto 935 aktivitete kanë pasur vlerë të përbashkët 442 milionë euro, ndërsa kontratat të cilat janë nënshkruar e kanë vlerën afro 84 milionë euro, apo 19 %”, tha Arbër Kabashi, hulumtues në INPO.
Krahas kësaj, nga 952 kontrata, 463 janë nënshkruar pa qenë fare të planifikuara nga Autoritetet Kontraktuese.
“Për nga vlera nga 112 milionë euro, 83 milionë euro është vlera e kontratave të planifikuara, ndërkohë 28 milionë euro është vlera e kontratave të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, tha Kabashi.
Këto statistika, sipas Albulena Nrecaj nga INPO, tregojnë për keqplanifikim nga Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit.
“Në atë plan të prokurimit nuk janë parapa nevojat dhe shërbimet reale që ata kanë nevojë t’i kontraktojnë, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Në anën tjetër, flet për një mungesë të gatishmërisë për t’i adresuar problemet që paraqiten gjatë vitit, brenda aktiviteteve të prokurimit”, tha Nrecaj.
Derisa Qeveria e ka realizuar vetëm 35% planin e prokurimit, vlerësohet se më së shumti e pësojnë qytetarët.
“Anomalia më e madhe është mosrealizimi i investimeve kapitale ku dihet se këto investime luajnë rol kyç në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Nrecaj.
Ministria e Drejtësisë e ka tejkaluar planin e prokurimit për 311% ngase ka planifikuar vetëm 700.000 mijë euro, ndërsa ka nënshkruar kontrata në vlerë 2.6 milionë euro.
Kurse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka realizuar vetëm 4.17% të planit. MINT-i kishte planifikuar 18 milionë euro, teksa 14 milionë i takojnë rezervës shtetërore.





