Përgatiti: Sara Shehu
Kosova është renditur 19 vende më poshtë në Indeksin vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Këtë vit Kosova u rendit në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar kur ishte në vendin e 56-të.
Raporti, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duhet të jetë sinjal për Qeverinë.
Në raportin e organizatës Reporterët pa Kufij, gazetarët në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, vazhdojnë të jenë “cak edhe i sulmeve politike”. Por pavarësisht rënies në indeks, Kosova qëndron më mirë se mediat në rajon.
Derisa AGK-ja bashkë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Këshillin e Mediave të Shkruara organizuan një diskutim rreth sfidave të ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.
“Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në demokraci, për ta informuar publik dhe për t’i mbajtur autoritetet përgjegjëse. Nuk është keq që të kujtojmë sot që gazetarët duhet të ndihen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre të lirë së pari. Raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të dhe nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Michael Davenport.
Ndryshe, gazetarët e Kosovës vitin e shkuar ishin edhe cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve nga veriu.





