Përgatiti: Kastriot Tahiri
Shkuan njëkohësisht për t’i larguar mbeturinat në lagjen Dardania. Kjo bëri që punëtorët e dy kompanive që merren me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, të rrihen të shtunën.
Komuna thotë se dy punëtorët e ndërmarrjes publike “Pastrimi” i sulmuan dy të tjerët e kompanisë private, të kontraktuar nga pushteti lokal, për të njëjtin qëllim.
Deri te kjo, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se erdhi nga frika e punëtorëve të Pastrimit, se do ta humbasin vendin e punës.
“Sipas drejtuesve të KRM “Pastrimi” është iniciativë e punës se kanë ndje rrezikshmëri që po e humbin vendin, por nuk është ky qëllimi, ata e kanë territorin e mjaftueshëm ku mund të operojnë”, tha Brestovci.
Për problemin në fjalë, ATV-ja ka kontaktuar edhe zyrtarë të kompanisë regjionale “Pastrimi”. Ata pa dhënë shumë detaje përmes telefonit i thanë ATV-së, se do të dalin me një komunikatë kurdo që merret vendimi.
Sido që të jetë, nga komuna thanë se angazhimi edhe i një kompanie, krahas asaj regjionale ishte më se i nevojshëm.
“Të gjithë këtë punë e kemi bë në bashkëpunim me kompaninë, bile komplet specifikimin teknik për kamionët e kemi marrë nga kompania pastrimi”. Ndërmarrja do të ketë mundësi ta rritë cilësinë e shërbimit dhe do të jemi të kënaqur në të dyja anët”, tha Brestovci.
Me vendimin e komunës, të kënaqur janë edhe qytetarët.
“Kryetari Rama i ka sjellë edhe disa kontejnerë edhe po i mirëmbajnë, por vetë qytetarët i kanë fajet, sepse po sjellin edhe orendi shtëpie këtu, e kjo është veç për mbeturina”, tha Shaban Ademi, qytetar.
Ndërkaq, nga komuna thanë se kompania e kontraktuar ka në dispozicion 10 kamionë, si dhe 30 punëtorë.





