Përgatiti: Benita Zeneli
Përmes Projektligjit për inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut që është në pritje për t’u miratuar në parim, synohet që kompetencat e inspektorëve komunalë të bartën në nivelin qendror.
Kjo po vazhdon të kundërshtohet nga opozita sipas së cilës ka tendencë për të ndërhyrë në çështjet e pushtetit lokal, duke i lënë ata jashtë sistemit të inspektimeve.
“Hapur e themi se tendenca është për të ndërhyrë te pushtete lokale dhe për të marr kompetencat e kryetareve ne raport me inspektimin e tregtisë. Kemi shkelje sepse nuk mund ti merret e drejta e punës të gjithë atyre inspektorëve që qeveria ka investuar tash e 30 vjet duke llogaritur qe duhet te I nënshtrohen një konkursi te ri paralel me militantët e LVV që po tentojnë të vendosen pranë agjencinë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Paqartësi sipas deputetit Shala ka edhe me pagat.
“Nuk sigurohen pagat për të rinjtë pra nuk e ka qartësuar mënyrën e financimit as të inspektorëve të mbetur e as që vijnë”, tha Shala.
Njëkohësisht për këtë kanë reaguar edhe komunat. Sipas Sazan Ibrahimit nga Asociacioni i Komunave tendenca e centralizimit e karakterizon qeverinë aktuale, derisa shton se rekomandimet e komunave nuk merren parasysh nga niveli qendror.
“Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe parimi kryesor në KiE është bartja e shërbimeve më afër qytetarëve. Tendenca e centralizimit të kompetencave po vërehet hapur në Kosovë dhe kjo nuk është vetëm për këtë çështje por edhe për shumë të tjera kur në shumicën e rasteve as komunat nuk konsultohen për këto veprime. Edhe pse ne jemi të interesuar si asociacion që sa më herët të zgjidhen problemet që I pengojnë qytetarët e vendit por këto po anashkalohen. Tendenca e centralizimit nuk është në dobi të qytetarëve sepse çdo shërbim që ofrohet me afër tyre është I mirëseardhur”, tha Ibrahimi.
Projektligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut ishte miratuar në qeveri në dhjetor të vitit të kaluar.





