Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Thotë se ka pak dhimbje, teksa shikon duart e tij të përlyera. Mirëpo, Nexhmi Kastrati më shumë ndihet krenar për punën që kreu pak më herët.
Ky arriti ta shpëtonte një punëtor që gjendej brenda, kur nisi të digjej fabrika “KASTRATI SHPK” në fshatin Kërpimeh të Podujevës.
“Kam tentuar t’i ndihmojë diçka, i kemi thirre zjarrfikësit derisa kanë arritur veç e kishte përfshirë flaka…”, tha Kastrati.
Pronari i fabrikës qe në gjendje të rënd emocionale, andaj për dëmet nga flakët, foli i afërmi i tij, Arif Hoti.
Sikurse zjarrfikësit të mos ishin vonuar 45 minuta nga telefonata, për në vatrën e zjarrit 10 kilometra larg qendrës, sipas Hotit, humbjet s’do të ishin tre milionë euro.
“Unë kam qenë duke ngrënë bukë me pronarin kur na kanë thirre, kemi ardhur për me i prit zjarrfikësit janë vonuar diku 45-50 minuta…”, tha Arif Hoti, i afërm i pronarit të fabrikës “Kastrati SHPK”.
Por, shkatërrimi i tërësishëm i fabrikës, nuk e ka dëmtuar vetëm pronarin.
Që fqinjët e tyre të mos mbesin pa punë, banorët kërkojnë ndihmë institucionale.
Zjarri qe i madh, andaj përgjatë lokalizimit edhe një zjarrfikës kërkoi ndihmë mjekësore.
“10:50 kemi marrë lajmin, i lënduar mbeti pak një punëtor dhe zjarrfikës, por vetëm lëndime të shkallës së parë, pjesa dërrmuese është dëmtuar”, tha Milaim Ajvazi, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Podujevë.
Dyshimet e para për zjarrin lidhen me rrjetin elektrik.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, hetimet për shkakun e zjarrit po vazhdojnë.





