Përgatiti: Benita Zeneli
Në mbledhjen e komisionit për arsim nuk ishte asnjëri prej deputetëve të opozitës.
Ata e bojkotuan punën e këtij komisioni, ku pritej të shqyrtohej projektligji për tekste shkollore, i cili dyshohet se nuk pati votat e mjaftueshme kur u miratua në lexim të parë në Kuvend.
Të pranishëm në këtë komision ishin vetëm deputetët e pushtetit dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Pretendimet e disa deputetëve, ministrja tha se janë përgjegjësi e administratës dhe beson se do të trajtohen në mënyrën e duhur.
“Pres që të gjithë deputetët t’i japin mbështetje. Sepse është një ligj që ka qenë i munguar për disa vite. Ligji aktual ka më shumë se një dekadë në përdorim. Ka qenë i mangët dhe nuk i ka përfshirë ndryshimet që janë rezultat i kohës. Apeloj që ta mbështesin dhe reforma në arsim duhet të kemi qëllim të përbashkët”, tha Nagavci.
Pas mbledhjes, deputeti i Vetëvendosjes, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se janë duke e pritur përgjigjen zyrtare nga administrata e Kuvendit, për ta vërtetuar nëse ka pasur kuorum për kalimin e këtij Projektligji apo jo. Gola shtoi se nuk mund t’i ndalin procedurat, përkundër dyshimeve.
“Nëse ka diçka kontestuese ashtu si po ngrihet nga opozita, është komisioni për legjislacion, për mandate edhe për rregullore, që ka për obligim dhe mandat për me interpretu nëse është shkelë rregullorja apo jo. Ne si komision nuk guxojmë të ndalim automatizimin e kësaj procedure, por duhet të procedojmë në përputhje me obligimet që vijnë nga seancat plenare, nga përfundimet që vijnë nga kryetari që reflektojnë seancën. Nuk guxojmë të prejudikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritur, nuk jemi adresa e duhur për t’i adresuar ato. Është kabineti i kryetarit dhe administrata”, tha Gola.
Dyshime janë ngritur fillimisht nga vetë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e pastaj edhe nga të opozitës, të cilët thonë se në ditën kur u votua për projektligjin në fjalë, nuk ka pasur kuorum në Kuvend.






