Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me gjetjet e raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, i cili trajton proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ky raport ka ngritur shqetësime serioze rreth procesit duke theksuar se mandati i Speciales ka pasur devijim që nga qëllimi fillestar. Raporti evidenton shqetësime lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.
PDK-ja përmes një reagimi ka deklaruar se këto të gjetura paraqesin sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor, dhe se gjetjet nuk mund dhe nuk duhet të injorohen nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
“PDK rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare. Rrjedhimisht, çdo proces ndaj pjesëtarëve të UÇK-së duhet të jetë i pakontestueshëm në standard, i pastër në procedurë dhe i drejtë në çdo aspekt”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka kërkuar që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit, që garanton respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit gjyqësor.
Po ashtu, u ka bërë thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin.
“Heshtja përballë këtyre gjetjeve nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e PDK-së.






