Përgatiti: Driton Sadiku
Kryetarët shqiptarë të komunave veriore mund ta çojnë deri në fund mandatin.
Pas thirrjes për bojkot të votimit për shkarkimin e tyre, Lista Serbe të hënën largoi edhe anëtarët nga Komisionet Komunale Zgjedhore.
Ky vendim i duket paksa i çuditshëm shoqërisë civile në veri, për faktin se Lista Serbe mori pjesë në hapin e parë, që ishte peticioni.
Megjithatë, thonë se partia më e madhe serbe në Kosovë e di se nuk mund t’i mbledhin aq vota sa kërkohet.
“Vendimi për bojkotim është befasues në njërën anë, pasi vjen pas nënshkrimit të peticionit, dhe në parim ishte pranim se do të merrnin pjesë në këtë proces, por në anën tjetër nuk është edhe aq befasues, sepse mendoj se vendimi është se ata nuk do të mund të mbledhin votat e mjaftueshme. Ne të gjithë kemi folur për atë se është e pamundur të mblidhen tërë ato vota tash, pasi shumë qytetarë janë jashtë Kosovës tash. Ata kanë pritur që kryetarët do të japin dorëheqje, sepse peticioni u pa si një vullnet i mirë nga serbët lokalë”, tha Aleksandar Sljuka nga OJQ “Nisma e Re Sociale”.
Ndërsa, politologu Fidan Ukaj thotë se komisionerëve të Listës Serbe ua ka prishur pak punën edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur vendosi që nëpër qendra të votimit të ketë kamera.
“Vendosja e kamerave nëpër vendvotime e ka frikuar Listën Serbe dhe e ka parandaluar manipulimin me listat zgjedhore, siç duket në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë me mundësi që njerëzit kanë votuar më shumë se një herë për njerëzit që nuk kanë qenë prezent në veri të Kosovës dhe tanimë vendosja e kamerave nëpër vendvotime e rrit transparencën e po ashtu e parandalon këtë keqpërdorim”, tha Ukaj.
Me a pa ta, procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, do të mbahet më 21 prill.
Në rast se nisma dështon, një votim i tillë nuk mund të organizohet të paktën edhe për një vit.