Përgatiti: Haris Ademi
Për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vetëm një shtet është më larg NATO-s, sesa Serbia.
Prandaj, sipas saj, Beogradi as nuk mund të ëndërrojë të bëhet pjesë e aleancës transatlantike.
Në këtë formë, Osmani iu kundërpërgjigj të mërkurën ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili një ditë më parë tha se Serbia aktualisht është më afër NATO-s, sesa Kosova.
“Është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se është kundër NATO-s. E treta Serbia është shtet që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, që vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën përbrenda, të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi”, tha presidentja Osmani.
Për këtë deklarim të Hillit foli edhe kolegu i tij në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se i kundërshton ata që bëjnë këso lloj krahasimesh. Ndërsa shtoi se SHBA e mbështet synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, edhe pse ka sfida për shkak të disa shteteve që nuk e njohin ende shtetin e ri ballkanik.
“Kosova rreshtohet shumë mirë me NATO-n, sa i përket vlerave e institucioneve. Më tepër janë këto çështje të pazgjidhura dhe të shohim të avancojë. Presim që plotësisht Kosova të bëhet një ditë anëtare e NATO-s dhe po punojmë në këtë synim”, tha Hovenier.
Hovenier ofroi garanci për sigurinë e kosovarëve, edhe lidhur me deklarimet e presidentit serb, Aleksander Vuciq. Ky i fundit ua dha një lloj ultimatumi shteteve perëndimore, që nëse pozicionohen me Kosovën, Serbia do ta presë momentin për të vepruar.
“Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se as populli i Kosovës nuk duhet të mbetet pa gjumë, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.
Sipas ambasadorit, përkushtimi amerikan për sigurinë e Kosovës është i fortë si kurrë më parë.