Përgatiti: Driton Sadiku
Buxheti i ndarë prej afro 10 milionë eurove për vitin 2024, nuk po i mjafton.
Andaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi nga Ministria e Financave që t’ia shtojë edhe një shumë të majme, për t’i kryer disa investime.
Ky institucion ka paraparë blerjen e disa kamerave që do të përdoren për vendvotime, por edhe disa softuerë, për të cilat u duhen rreth 1.5 milion euro.
“Në kuadër të transparencës, KQZ-ja ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bie rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike, të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro, të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti”, tha shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.
Këto kërkesa i patën teksa raportuan në komisionin për buxhet dhe transfere ku edhe treguan për buxhetin që u është ndarë atyre, dhe atë se sa e kanë shpenzuar.
Por raporti i shpenzimeve qe pakëz i vjetër.
“Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ-ja është akorduar një fond prej mbi 5 milionë e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Andaj kjo irritoi paksa deputetët që patën vërejtje për punën e KQZ-së.
“Ne jemi duke e trajtuar një raport të vitit 2022 dhe jemi në vitin 2024, në vend se të mendojmë për raportimin e vitit 2023, ne ende para dy viteve merremi me raportet e institucioneve të pavarura”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
“Raporti i auditimit të cilin e kemi pranuar po paraqet që nuk është gjendje e mirë e mbajtjes së llogarive në këtë institucion. Raporti është i kualifikuar, që është për më tepër zhgënjyes që të mos paraqiten si duhet llogaritë e arkëtueshme”, tha deputeti i LV-së, Visar Korrenica.
Sidoqoftë kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i tha “po” Komisioni për buxhet, por përgjigjja definitive i mbetet Ministrisë së Financave.