Përgatiti: Arton Hamiti
Përveç si kufij shtetërorë, Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën as si kufi energjetik.
Pas takimeve që pati të martën në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se linjat e interkonjeksionit me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
“Është fakt që “Elektroseveri” ka nisur faturimin e energjisë në veri, por ende nuk janë liruar linjat e interkonjeksionit. Për habinë e të gjithëve, Petar Petkovic tha para Lajcakut, se kjo nuk është pjesë e marrëveshjes për energjinë për çka u kundërshtua nga Lajcaku dhe mbetet të diskutohet kjo çështje”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Megjithatë, kjo çështje më shumë është teknike sesa politike, sipas ekspertit të energjisë, Naim Bujupi.
“KOSTT-i, si Operator i Transmisionit është i pranuar në ENTSOE, si anëtar me të drejta të plota që Kosova është e njohur si zonë rregulluese që realisht veç është duke e bërë alokimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e kongjecioneve me tri shtete të tjera, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Pra kjo është ma shumë çështje teknike me Serbinë sesa politike sepse menaxhimi i linjave është pjesë ekskluzive e KOSTT-it andaj Serbia po bën shkelje të marrëveshjes së ENTSO-së në ketë rast”, tha Bujupi.
Sidoqoftë, roli i këtyre linjave në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, vlerësohet të jetë i madh, rrjedhimisht edhe dëmi ndaj KOSTT-it.
“Kosova është nyje e fortë elektroenergjetike, pra lidhet shumë me vendet përreth, sidomos me Serbinë. Me Serbinë është e lidhur me nivel të tensionit 400 kilovoltsh, 220 dhe 110 kilovoltsh. Dhe Kosova është duke humbur shumë sepse në këtë rast gjithë alokimin e kapaciteteve e bën Serbia”, tha Bujupi.
Krahas linjave të interkonjeksionit, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut vazhdon të mos ketë qasje fizike në nënstacionin e Vallaçit, ndonëse ishte paraparë si hap i radhës, pas faturimit të rrymës në veri.