Përgatiti: Nora Luta
Nga Nju Jorku, përmes video-linkut, Arben Selmani, ka folur për herë të parë në gjykatore rreth vrasjes së Triumf Rizës. Shoku i fëmijërisë së Rizës, e më vonë edhe koleg në Polici, ka thënë se vrasjen e ka planifikuar Enver Sekriaqa.
Ai e ka quajtura kulm të përndjekjeve e presionit që, sipas tij, Sekiraqa i bënte Rizës, pranimin e një informate nga inteligjenca. Sipas dëshmitarit, nga përgjimet kuptohet se Sekiraqa ishte dëgjuar duke thënë se do t’i vrasë Rizën dhe Selmanin, e do të largohet për një kohë nga Kosova.
Kjo, sipas tij, kishte ndodhur pas ngjarjes në Sëiss Casino.
Në përgjigjet e pyetjeve të Prokurorisë rreth motivit, Selmani tha se qëllimi ishte ushtrimi i presionit mbi Rizën, pasi ishte polici më i mirë elitar në atë kohë.
E presionet ndaj tij, sipas dëshmitarit ishin shtuar kur në jetën e Rizës ishte shfaqur Adelina Ismajli. Mbrojtja po ashtu e pyeti dëshmitarin përse Sekiraqa nuk ishte arrestuar pas përgjimeve.
Mbrojtja pati vërejtje se dëshmitari gjatë dëshmisë lexoi deklaratën e tij dhënë në hetuesi në 2018-n, duke kërkuar që të veçohet, por kjo u refuzua nga trupi gjykues. Pyetje për dëshmitarin pati edhe babai i të ndjerit.
Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak, pas vendimit të Apelit, do të vazhdojë të enjten.
Ai akuzohet se e nxiti vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, ndërsa për vrasje u dënua me 35 vjet burgim Arben Berisha.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: