Përgatiti: Arton Hamiti
Më shumë se 9 milionë euro pritet t’i shpenzojnë institucionet qendrore, lokale dhe të tjera publike për vetura me qira deri në vitin 2029.
Gjithsej 34 autoritete kontraktuese kanë kërkuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit të nisë procedurat në mënyrë që për pesë vitet e ardhshme, trupat inspektuese t’i kenë në dispozicion 481 vetura, të 6 modeleve.
Në mesin e institucioneve që kërkojnë më shumë vetura, prijnë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Infrastrukturës me 69 automjete, respektivisht 59.
Prej komunave, kryeson kryeqyteti që ka kërkuar 35 sosh.
Bazuar në vlerën parashikuar të tenderit i bie që qiraja për secilën veturën të jetë rreth 18 mijë e 800 euro. Për një ish-ministre të Financave është më e drejtë që veturat të blihen në mënyrë që ato të mbesin pronë e përhershme e institucioneve.
“Kur kam pa karakteristikat e veturave të cilat janë kërkuar dhe duke parë një buxhet mbi 9 milionë euro, unë kam besuar thellë se me ato mjete mund të blihen rreth 400 vetura të reja, të cilat do të mbeteshin pronë e institucionit”, tha kryesuesja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Hykmete Bajrami.
Nëse çmimi mesatar i një veture të re llogaritet të jetë 20 mijë euro, atëherë me 9 milionë e 66 mijë, mund të blihen 453 vetura të reja.
Andaj, për kryesuesen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave, kjo mund të jetë keqpërdorim i parasë publike.
Sipas specifikave në dosje të tenderit, veturat duhet të jenë të prodhuara në vitin 2023 ose 2024. Katër nga modelet e përshkruara janë vetura të vogla, ndërsa dy të tjera SUV që ndryshe njihen si Xhip.
Ndërkohë, afati për dorëzimin e ofertave për tenderin 9 milionësh, i paraparë të mbyllet sot, është shtyrë për 12 prill.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: