Përgatiti: Armand Hoti
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk po shënon progres.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vazhdimi i aplikimit të Kosovës drejt anëtarësimit në union, po pengohet nga zhvillimet në vend.
Specifikisht, Komisioneri Varhelyi, përmendi vendimin e Bankës Qendrore, që lejon euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.
“Fatkeqësisht ngjarjet e fundit në Kosovë nuk e bënë fare të lehtë për Këshillin Evropian, që t’ia besojë detyrën te Komisioni që ta vlerësojë aplikimin e Kosovës. Ne kemi thënë shumëherë që kurdo që Këshilli ia beson Komisionit ta japë opinionin e tij në këtë aplikim, ne jemi gati të bëjmë këtë. Por ne po e shohim shumë qartë se në vend të deeskalimit, ne po shohim shfaqjen e elementeve të reja të eskalimit në atë vend. I fundit është vendimi i Bankës Qendrore, që ndalon një valutë të huaj”, tha Varhelyi.
Vendin në ulësen e vendit anëtar në BE, shumë më shpejt pritet ta sigurojë Shqipëria, meqë sipas Komisionerit Varhelyi, tashmë i ka përmbushur gjithë çka i është kërkuar.
“Komisioni Evropian ka disa muaj që pret vendimin e shteteve anëtare për hapjen e negociatave. Duhet të hiqet bllokimi nga një shtet anëtar. Ne duhet ta mbajmë premtimin, sepse Shqipëria i ka realizuar të gjitha kushtet. Para zgjedhjeve evropiane duhet të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare. Të nisë shqyrtimi i kapitullit të parë për të drejtat themelore dhe të vijojmë më tej”, tha Varhelyi.
Ndërkaq, diplomati evropian tha se përparime për hapjen e negociatave për anëtarësim po shënon edhe Serbia, ndonëse pati vërejtje.
“Megjithatë, gjërat nuk shkuan më lehtë në Serbi kur organizoheshin konferenca të reja ndërqeveritare për anëtarësimin dhe mendoj se kjo është për shkak të ndikimit të agresionit rus në Ukrainë. Por ne vërejmë përparim edhe në terren, prandaj i qëndrojmë propozimit tonë për hapjen e grupit të ardhshëm të negociatave”, tha Varhelyi.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: