Përgatiti: Fatlum Jashari
Në prag të takimit të radhës të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në njëvjetorin e dakordimit të shtojcës së Ohrit, Bashkimi Evropian shprehu zhgënjimin për nivelin e ulët të zbatimit.
Megjithatë, BE-ja nuk heqë dorë nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ballkanike.
“Fatkeqësisht, përkundër mbështetjes së gjerë nga Bashkimi Evropian dhe asaj ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova kanë arritur përparim shumë të kufizuar. Së shpejti do të ketë një takim të ri të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje, e cila ishte shumë e vështirë për t’u arritur, nuk është zbatuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj dy palëve, në mënyrë që të lëvizim përpara”, ka thënë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.
Për mungesën e rezultateve në zbatim, presidentja Vjosa Osmani fajësoi Serbinë.
“Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje, e cila qartë i kërkon që të mos shkelë integritetin territorial të Kosovës, që ta njohë subjektivitetin ndërkombëtar dhe parimin e barazisë së palëve, që të mos votojë kundër Kosovës në organizata ndërkombëtare, që të mos përdorë dhunë në relacionet ndërshtetërore”, tha Osmani.
Duke përmendur refuzimin për propozimin paraprak të sekuencimit, ajo vlerësoi se plani i ri i balancuar do të ishte çelës për zbatim të plotë.
“Plani i sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia, t’i zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme, obligimet e tyre. E jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo do të na krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton, kurse Kosovës i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe më shumë. Kjo nuk është një strategji që ka sjellë më shumë paqe”, tha Osmani.
Dokumenti i sekuencimit apo renditjes së zbatimit të obligimeve nga marrëveshja bazë dhe shtojca, krahas rregullores së BQK-së, është temë kryesore në takimin e ftuar për të martën, ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.