Përgatiti: Nora Luta
I dënuar me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa të hënën u soll në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Këtë herë nën akuzat për një vepër penale që e kreu në dhjetor të 2012-s, kur Marigona ishte vetëm 9 vjeçare.
Gati dhjetë vjet nga ngritja e aktakuzës më 9 dhjetor të 2014-s, rasti në të cilin akuzohen për një grabitje në kazinon “Kajot”, edhe Anton Beluli e Arbnor Lika, nuk ka marrë një epilog.
Në seancën e së hënës procesi gjyqësor nisi nga fillimi, pasi kryetari i trupit gjykues që e kishte rastin Idriz Ibrahimi u pensionua.
Tash shqyrtimin do ta drejtojë gjyqtarja Fitore Daci, e cila njoftoi se procedura ndaj Anton Behlulit është veçuar për shkaqe shëndetësore.
Ndërsa, Dardan Krivaqa, e i akuzuari tjetër Arbnor Lika u deklaruan të pafajshëm.
Megjithëse, sipas aktakuzës, Krivaqa, i njohur për organet e drejtësisë për shkak edhe të rasteve të tjera, gjatë marrjes në pyetje kishte pranuar rolin e tij si roje në grabitje.
“Dardan Krivaqa ka deklaruar se ditën kritike, së bashku me Arbnor
Likën dhe Anton Behlulin kanë shkuar te kazino “Kajot”, në Ferizaj, ku pas marrëveshjes, ai ka bërë roje pranë kazinosë, kurse dy të pandehurit
tjerë kanë vendosur maskat, kanë shkuar në kazino dhe pas 2 – 3 minutave kanë dalë nga kazino. Pranon faktin se fillimisht ia kishin dhënë 40 €, duke i thënë se nuk kanë marrë me shumë dhe janë shpërndarë, të nesërmen në telefon e ka ftuar Arbor Lika ku janë takuar te kafeneja “Enter”, ku aty kishte qenë edhe Antoni dhe që të dy ia kanë dhënë nga 100 € dhe i thonë që për këtë rast mos fol me askënd”, thuhet në Aktakuzën e Prokurorisë.
Shqyrtimi kryesor në këtë rast vazhdoi me dëshminë e Sefedin Dernjani, i cili është në vuajtje të dënimit për një tjetër rast, ndërsa do të vazhdojë muajin tjetër, ku pritet të shfaqen pamje nga kamerat e sigurisë në kazino në ditën kur kishte ndodhur grabitja.
Seanca e fundit në këtë rast ishte mbajtur në korrik të 2022-s, ndërsa gjykata nuk ka treguar se pse ka zgjatur procedura që nga ngritja e aktakuzës në 2014-n, por vetëm ka ofruar datat e seancave të mbajtura.
Ndërkohë, Dardan Krivaqa u dënua në gusht të 2022-s me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Marigona Osmanit, por Apeli e ktheu në rigjykim në shkurt të këtij viti.