Ministria e Bujqësisë ia ndërpret AAK-së kontratën

Përgatiti: Armand Hoti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mundë ta shfrytëzojë këtë objekt edhe për vetëm 180 ditë.

Pas këtij afati kohor, AAK-ja duhet ta lirojë ndërtesën ku është vendosur selia qendrore e kësaj partie, në lagjen Ulpiana të kryeqytetit.

Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci, përfundimisht ka vendosur që ta ndërpresë kontratën e qirasë me partinë opozitare, që e shfrytëzon prej vitesh këtë objekt.

“Andaj, qiradhënësi përkatësisht Ministria përgjegjëse për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural kërkon nga qiramarrësi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që objektin ta lirojë në afat prej 180 ditësh, nga dita e njoftimit të kësaj shkrese, përkatësisht nga 19 marsi 2024 deri me datën 20 shtator 2024”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë.

“Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe meqenëse kemi qenë shumë korrektë dhe gjenerozë, dhe meqenëse ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot në mëngjes Ministria ka marrë vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ashtu siç kërkoi Ministria, do të veprojë Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës.

“Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qira të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor”, ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, pasi AAK-ja t’i lëshojë zyrat, sipas ministrit, objekti do të vihet në shërbim të Ministrisë.

“Varësisht prej dispozitave, edhe siç është e paraparë në një periudhë tranzitore, për një periudhë të shkurtër kohore i gjithë objekti do të jetë në shfrytëzim për Ministrinë e Bujqësisë, për titullarin e institucionit. Edhe mua më vjen keq realisht prej periudhës së pasluftës, objekti i Ministrisë së Bujqësisë nuk është shfrytëzuar nga titullari i institucionit dhe në anën tjetër ne përballemi me një qira shumë të lartë, aktualisht në objektin që e ushtrojmë veprimtarinë tonë”, tha ministri Peci.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka shfrytëzuar këtë objekt për aktivitetet e saj partiake që nga paslufta.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA