Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, po i kërkon qeverisë të cilën e drejton Albin Kurti, t’i shmanget shout mediatik.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tash deputet opozitar, thotë se Kosova duhet pasur kujdes kur në pyetje janë raportet me ndërkombëtarët.
“Unë do ta rekomandoja Qeverinë e Kosovës të jetë e kujdesshme, nëse e ka ndërmend të implementojë diçka siç ka ndodhur me Deçanin, ta bëjë atë pa polemika, pa hyrë në situata të pa lakmueshme, e që e vënë Kosovën në situatë që është tani në relacion me ndërkombëtarët”, tha Pacolli.
Kritik për veprimet që kanë ndikuar në raportet me aleatët, është edhe opozitari nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Kjo qeveri ka rrezikuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për eksperimentime që më pas është tërhequr. A është tërhequr prej tabelave, prej reciprocitetit? A është tërhequr prej zgjedhjeve lokale në veri, ku nisi peticioni për rrëzimin e kryetrarëve që janë me 100 vota. Pse e bëri këtë? Është një eksperimentim që nuk guxojmë me bërë”, tha Tahiri.
Tahiri thotë se nuk pret përparim në dialog me Serbinë. Ndërsa Pacolli bën thirrje që Kosova t’i kryejë obligimet që ka marrë në proces.
“Dhe çdo refuzim i implementimit të Asociacionit, gjithmonë brenda limiteve të Kushtetutës së Kosovës, është një humbje kohe për Kosovën. Dhe po e shihni kur Kosova nuk implementim diçka”, tha Pacolli.
Të martën është takimi i radhës në dialog, në nivel kryenegociatorësh. Në Bruksel pritet të diskutohet plani i sekuencimit, por edhe çështja e dinarit, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: