Përgatiti: Krenare Mulliqi
Institucionet financiare duket se nuk po kanë interes të punojnë në komunat veriore.
Nga hyrja në fuqi e rregullores për operacione me para të gatshme, asnjë bankë nuk ka kërkuar licencë nga BQK-ja për të hapur filialet e tyre në komunat veriore.
Por veç tyre, interesim nuk ka as nga këmbimoret. Nga Banka Qendrore e Kosovës, përmes një përgjigje për televizionin thanë se ky institucion nuk ka pranuar asnjë kërkesë për licencë për të funksionuar në katër komunat veriore të vendit.
Krejt kjo për ish-zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore, Fatmir Gashi, po ndodh për shkak se rregullorja është bërë çështje politike.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, bankat nuk kanë interes të punojnë në ato komuna.
Sipas Gashit, BQK-ja do të duhej të fillonte shtrirjen e institucioneve financiare në veri shumë muaj para se ta miratonte rregulloren.
Aktualisht rregullorja për operacione me para të gatshme është në fazën e tranzicionit, pasi BQK-ja ka përpiluar edhe një plan 10 pikësh për të lehtësuar zbatimin e saj, por jo më gjatë se 3 muaj.
Pikërisht pikat 3, 4, 5 dhe 6 të këtij plani parashohin lehtësira për të inkurajuar institucionet financiare, me theks për këmbimore, të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore.