Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Punëtorët teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të martën për disa orë bojkotuan punën e tyre.
Këtë veprim e morën pasi atyre iu kishte skaduar kontrata.
“Kurrë nuk na ka ndodhur kështu, mos me pasë kontratë, me dashtë na paguajnë me dashtë jo, na skadoi por duhet të na vazhdojnë të renë…”, tha Miradie Makolli, punëtore teknike.
“Lëre më se i kemi pasë pagat e ulëta, tash edhe me këtë situatë…”, tha Kumrie Shabani, punëtore teknike.
Për situatën e krijuar, u zhvillua edhe një takim ndërmjet kryetarit të sindikatës së punëtorëve të sektorit privat dhe drejtorit të shëndetësisë në Prishtinë, i cili rezultoi me një marrëveshje.
“Ne me bisedën që patëm me kryetarin e sindikatës, ramë në një përfundim që puna mos të mbetet pa përfundua, të punohet, Ju lus deri të premten, apo më së largu të hënën, e mandej të vazhdojmë me shqyrtimin e rastit me kontrata”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.
“Kushti është që menjëherë pas kësaj date, të fillojë kontratat apo në të kundërtën do të përsëritet…”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Pas dakordimit, punëtorët shpresojnë që me vazhdimin e kontratave do të kenë edhe rritje page.
“S’kemi çfarë të bëjmë, na duhet të punojmë edhe pse me këto paga gjithsesi nuk është që kemi zgjidhje tjetër…”, tha Emine Sahiti, punëtore teknike.
Ndërkaq, këto 4 ditë, sa iu është kërkuar të punohet pa kontrata, punëtorëve teknik të QMF-ve nuk do t’iu paguhen.
Sipas statistikave të SPSPK-së, rreth 30% e punëtorëve në sektorin privat, kryejnë punën e tyre pa poseduar kontratë.