Përgatiti: Armand Hoti
Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta, por kanë vlerësuar se numri i përdoruesve të drogës është duke u rritur. Më së shumti përfshihen të rinjtë.
Për ta luftuar këtë dukuri, Ministria e Punëve të Brendshme e ka hartuar një strategji katërvjeçare. Punë do të ketë me shumë lloje të drogave.
“Marihuana dhe hashishi duket se janë substancat më të përdorura, ndërsa përdorimi i kokainës ka shënuar gjithashtu rritje, krahasuar me heroinën e cila ka rënie. Përveç drogave tanimë të njohura, në treg janë prezente gjithashtu drogat sintetike si ‘amfetamina’, ‘ekstazi’, veçanërisht ‘mdma’, pastaj ‘ghb’, ‘lsd’, ‘crack’ dhe të tjera”, thuhet në draft-strategjinë kundër drogës.
Me draft-strategjinë që aktualisht është në fazën e konsultimeve publike, parashihen katër objektiva.
“Marrë parasysh problemet e identifikuara, vizioni i kësaj Strategjie është ulja e prezencës dhe konsumimit të drogës në Kosovë, duke eliminuar kështu pasojat negative që sjell droga dhe krijuar një shoqëri të shëndetshme, të sigurtë dhe ekonomikisht aktive. Kështu Strategjia parasheh gjithsej katër objektiva kryesore të cilat synohen të arrihen: 1. Zvogëlimi i ofertës dhe furnizimit me drogë – rritja e sigurisë; 2. Zvogëlimi i kërkesës për drogë; 3. Adresimi i dëmeve që lidhen me drogën dhe 4. Fuqizimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe atij ndërkombëtar”, thuhet në draft-strategjinë kundër drogës.
Për t’u arritur objektivat, duhet edhe buxhet.
Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, propozon që shteti të merret më shumë me fushata vetëdijesuese për këtë dukuri.
“Fushatat vetëdijësuese mungojnë. Do të ishte mirë që të bëhet një kombinim i strategjive dhe kompetencave të ndryshme duke filluar që nga vetëdijesimi qytetar, ai familjar, që nga futja nëpër planprogramet shkollore”, tha Havolli.
Ndërsa për ata që tashmë kanë krijuar varësi nga droga, ekzistojnë insitucione të cilat mundë t’u dalin në ndihmë.
“Ekziston qendra për mbështetje të specializuar dhe ndihmë për personat të cilët kanë krijuar varrësi nga substancat narkotike…duke pasur parasysh se ekizston një dozë e sigmatizimit në Kosovë këto raste janë të vështira për t’u zbuluar mirëpo interesimi është i rritur”, tha Havolli.
Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2023 thekson që Kosova vazhdon të jetë vend i deponimit dhe transitit të drogës.
Sipas draft-strategjisë së MPB-së, më 2022, Policia e Kosovës ka sekuestruar 662 kilogram marihuanë, 246 kilogram heroinë dhe 4 kilogramë kokainë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:






