Me jehonën e emocioneve të vitit të kaluar, po hapet një kapitull i ri i edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival.
Në një kohë kur bota po përballet me ndarje, pasiguri dhe konflikte, në këtë edicion do të flitet përmes artit dhe muzikës, si arma më e fortë për paqe.
“Tematika që do të na shoqërojë këtë verë është “Play Music, Not War”. Përveçse një slogan, është një thirrje për ndërgjegje, dhe një besim i joni i palëkundur se muzika ka fuqinë të bashkojë aty ku dhuna ndan, të ruajë atë që lufta kërcënon, dhe të japë shpresë aty ku asgjësimi dhe urrejtja verbon njerëzimin.
Nga data 4 deri më 29 korrik, Kosova do të flasë gjuhën universale të muzikës dhe artit. Çdo performancë do të jetë një akt solidariteti. Çdo zë dhe çdo notë do të bëhen një dëshmi se e bukura do të ekzistojë edhe në kohët më të brishta.
Ky vit vjen me energji të reja, risi artistike dhe me përkushtimin e kahershëm për të sjellë në skenë artistët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Këtë edicion, ne nuk zgjedhim zhurmën e konfliktit. Ne zgjedhim shërimin e plagëve përmes muzikës.
Na ndiqni në rrjetet tona sociale për t’u përditësuar me të rejat më të fundit rreth festivalit.
Shihemi së shpejti!
#PlayMusicNotWar #RLIOF6” – thuhet në njoftimin e tyre për media.







