Kampionët në fuqi të NBA-së, Oklahoma City Thunder, kanë siguruar edhe fitoren e dytë në serinë e Play-Off-it ndaj Phoenix, këtë herë me rezultat 120:107, ndonëse me më shumë vështirësi krahasuar me përballjen e parë.
Megjithatë, jo gjithçka ishte pozitive për skuadrën kampione. Trajneri i Thunder mbetet i shqetësuar për gjendjen e Jalen Williams, i cili pësoi një dëmtim në pjesën e pasme të trupit, duke ngritur pikëpyetje për vazhdimin e tij në seri.
Shai Gilgeous-Alexander ishte sërish lideri i ekipit, duke shkëlqyer me 37 pikë, nëntë asistime dhe pesë kërcime. Ai u mbështet mirë nga Chet Holmgren dhe Jalen Williams, që kontribuuan me nga 19 pikë secili. Holmgren shtoi edhe tetë kërcime, ndërsa Williams katër asistime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Mitchell me 14 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime.
Te Phoenix, performancë të jashtëzakonshme pati Brooks me 30 pikë dhe gjashtë kërcime, ndërsa Devin Booker shtoi 22 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime. Green realizoi 21 pikë, ndërsa O’Neale u dallua me 16 pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.
Seria tani zhvendoset në Phoenix, ku do të zhvillohen dy ndeshjet e radhës, me të parën që luhet të shtunën në mbrëmje në orën 21:30.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes në Konferencën e Lindjes, Detroit Pistons triumfoi ndaj Orlando Magic me rezultatin 98:83, duke barazuar serinë në 1:1.
Cade Cunningham udhëhoqi Detroitin me një paraqitje të shkëlqyer prej 27 pikësh, 11 asistimesh dhe gjashtë kërcimesh. Tobias Harris kontribuoi me 16 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Duren dhe Thompson shtuan nga 11 pikë secili. Edhe Robinson dhe Stewart u regjistruan me pikë dyshifrore.
Për Orlandon, më i dalluari ishte Suggs me 19 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime. Paolo Banchero shtoi 18 pikë, tetë asistime dhe gjashtë kërcime, ndërsa Bane dhe Franz Wagner realizuan nga 12 pikë secili.
Dy ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen në Orlando, me përballjen e parë të planifikuar për të shtunën në orën 19:00.






