Tre persona janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, pasi dyshohen se përmes dokumenteve të falsifikuara kanë tentuar të përvetësojnë dhe shesin një parcelë me sipërfaqe rreth dy hektarë në Sllatinë të Fushë Kosovës, në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet janë zhvilluar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, të cilat kanë siguruar prova që dyshohet se i lidhin tre të dyshuarit me veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.
Sipas Policisë, të dyshuarit M.T., L.Sh. dhe M.R., përmes falsifikimit të dokumenteve të Serbisë, përdorimit të dokumenteve të rrejshme si të vërteta dhe paraqitjes së një personi të rremë si pronar real, kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë dhe shesin parcelën.
“Përmes veprimeve të kundërligjshme, të dyshuarit kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë/shesin parcelën në sipërfaqe prej rreth 2 hektarësh me lokacion në Sllatinë të Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se të njëjtën pronë kanë tentuar t’ua shesin disa blerësve, duke synuar përfitimin e shumës prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, duke falsifikuar pasaportën dhe letërnjoftimin e Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar të mashtrojnë si pronarin e pronës ashtu edhe blerësit potencialë.
“Është vërtetuar se personat e dyshuar, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit të Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar që përmes mashtrimit ta shesin pronën e viktimës dhe njëkohësisht t’i mashtrojnë personat tjerë/blerësit”, ka njoftuar Policia.
Rasti është trajtuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar më 17 korrik 2026, në praninë e avokatëve të tyre.
Pas urdhrit të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.





