Përgatiti: Haris Ademi
Që nga marrja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, qeveria i ka shtuar masat që mundësojnë punësimin e qytetarëve të kësaj zone të dominuar nga etnia serbe.
Dy ministra nga Prishtina i shkuan Lulzim Hetemit në Leposaviq, për të treguar se do t’i mbështesin dy mijë të punësuar nga i gjithë veriu, me subvencionim të 70% të pagës për gjashtë muaj.
Aktivitetin e ka shtuar edhe Agjencia e Punësimit. Në përgjigjen dhënë ATV-së, APRK-ja tregoi se i ka në listë 4374 punëkërkues nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku. Në këto dy të fundit, nuk janë aktive Zyrat e Punësimit, pasi kryetarët funksionojnë në objekte alternative.
Për këto masa është skeptik ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
“Çdo çështje ekonomike është politizuar, a i përgjigjen serbët kësaj, a ka biznes mjaft për 2000 vende pune, qeveria po e përdor si manovër politike…”, tha Gërxhaliu.
Përveç masave për sektorin privat, ka nevojë edhe për staf në institucionet veriore.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Brendshme hapi konkurs për 35 vende pune, për Zyrtar të Regjistrimit Civil dhe të Automjeteve.






