Në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca e radhës për Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, si dëshmitar në rastin e Konjufcës, tha se nuk i kujtohet nëse në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ishte hedhur gaz lotsjellës dhe nëse është ndërprerë ajo mbledhje.
Po ashtu, Lekaj e ka përsëritur se nuk i kujtohet nëse i pandehuri Glauk Konjufca ka marrë pjesë në atë mbledhje.
Këtë deklaratë, Lekaj e bëri duke i përgjigjur pyetjeve të prokurorit të shtetit, Besart Mustafa.
Ndërkaq, në seancën e mbajtur për hedhjen e gazit lotsjellës të datës 10 gusht të vitit 2016, është aprovuar propozimi i prokurorit Mustafa që e njëjta mbledhje të administrohet si provë për seancën përfundimtare.
Në fund, i pandehuri Konjufca i akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellësit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje dhe t’i qëndrojë mbrapa deklaratave të mëhershme.
“Gjyqtare, unë deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme, asaj i përmbahem kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje ashtu siç ma mundëson edhe ligji”, deklaroi Konjufca.
Pas përfundimit të deklaratës së Konjufcës, avokatja mbrojtëse e tij, Arbnora Zeqiri, ka kërkuar kohë shtesë për fjalën përfundimtare të seancës.
Në fund, është vendosur që seanca përfundimtare të mbahet të premten e kësaj jave në ora 13:00.






