Kylian Mbappé e ka mbyllur para kohe aventurën e tij në Ligën e Kombeve, pasi pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së Francës ndaj Turqisë.
Pas ekzaminimeve mjekësore, Real Madridi ka konfirmuar se sulmuesi francez ka pësuar një problem në gjurin e majtë dhe do të mungojë për të paktën dhjetë ditë.
Kjo do të thotë se rikthimi i Mbappés në fushë nuk pritet para datës 10 tetor, kur Real Madridi do të përballet me Villarrealin në kuadër të La Ligës.
Nëse rikuperimi nuk ecën sipas planit, francezi rrezikon të mungojë edhe në ndeshjen e Champions League kundër Romës, e cila do të zhvillohet më 14 tetor në stadiumin “Olimpico”.
Megjithatë, në Madrid ka edhe arsye për optimizëm. Sipas pritshmërive aktuale, Mbappé pritet të jetë në dispozicion për një prej ndeshjeve më të shumëpritura të sezonit – “El Clásicon” ndaj Barcelonës, që është planifikuar për 25 tetor.
Sulmuesi tashmë është rikthyer në Madrid dhe ka tentuar të qetësojë tifozët e Realit. Mbappé publikoi një fotografi në rrjetet sociale ku shfaqet i buzëqeshur së bashku me shokët e skuadrës, Eduardo Camavingan dhe Arda Güler.
Tashmë, fokusi i tij është te rikuperimi i plotë, me synimin për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt dhe për të qenë gati për përballjen e madhe ndaj Barcelonës.





