Përgatiti: Nora Luta
Autoritetet e sigurisë nuk kanë arritur deri tash ta sigurojnë praninë e Dejan Raçiqit, andaj ndaj tij Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për gjykim në mungesë. Organi i akuzës e ngarkon atë, se gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka kryer dhunë seksuale ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar.
Por, gjykimi ndaj tij dështoi të fillojë të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkak të mungesës së prokurorit.
Ky është gjykimi i dytë në mungesë që pritet të fillojë, pas rastit të parë vitin e kaluar ndaj Çedomir Aksiqit. Monitorues nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se gjykimet në mungesë janë sfidë për sistemin gjyqësor në Kosovë, duke konsideruar shembujt në shtetin e Kroacisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar, ka ngritur tetë aktakuza në mungesë për krime lufte. Ftesa dhe aktakuza ndaj Dejan Raçiqit, nga komuna e Klinës, ishte bërë publike në nëntor të 2023-s.
Gjykata, sipas kodit të ri të procedurës penale, kishte bërë thirrje që çdo informacion mbi vendndodhjen e tij t’i komunikohet Policisë së Kosovës.






