Përgatiti: Pranvera Krasniqi
54 nxënës në komunën e Ferizajt, brenda dy muajve të këtij viti, kanë kërkuar fletëkalim për t’u larguar nga shkolla.
Kësisoj, shkollat në këtë komunë po e zvogëlojnë edhe numrin e paraleleve.
“Nga informacionet që kemi marrë nga të gjitha shkollat, të gjitha nivelet, komuna e Ferizajt ka 54 nxënës që kanë kërkuar fletëkalim për t’u larguar nga shteti ynë…”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
Madje, në disa prej shkollave, nxënësit largohen pa dhënë shpjegime.
“Qe veç sot pak para se të vini ju, ishin 2-3 raste, veç vjen prindi pasi që e ka nxjerrë biletën, thotë më duhet me e marrë fëmijën”, tha Hajrije Nebihu, drejtoreshë në shkollën “Shaban Hashani”.
Situatë hiç më e mirë nuk është as në komunën e Podujevës. Përfshirë të gjitha nivelet, nga këtu u larguan 32 nxënës.
“Largimi i nxënësve po del të jetë sfidë edhe për ne, 32 nxënës i kemi që janë larguar për bashkim familjar, apo ndonjë arsye tjetër…”, tha drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu.
5 prej tyre janë nga shkolla e mesme “Fan Noli”.
“Nga 1 janari te shkolla jonë janë 5 nxënës që i kanë tërheq dokumentet për arsye të ndryshme…”, tha Sevdie Hoxha, zëvendësdrejtoreshë në shkollën “Fan Noli”.
Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, një ndër arsyet kryesore që fëmijët po e ndërpresin mësimin në shkollat në vend, është emigrimi.
“Ajo çfarë duhet të bëjnë institucionet, qeveria, është që të rrisin vetëdijen për përfitimet që qytetarët kanë jashtë vendit”, tha Qehaja.
Përveç nxënësve, në më pak se dy muajt e vitit 2024 pushim pa pagesë kanë kërkuar rreth 600 mësimdhënës nga të gjitha komunat e Kosovës.






