1.6 C
Pristina
Saturday, January 17, 2026

TELEKOMI kundër vendimit të gjykatës komerciale

Përgatiti: Armand Hoti

Kryeshefja e “Telekomit”, Burbuqe Hana, e cilësoi si antiligjor vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që lë në fuqi urdhrin përmbarimor të vitit 2019, që derivon nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon”.

Kryeshefja Hana tha se “Telekomit” po tentohet t’i grabiten mbi 5.7 milionë euro.

“Nëpërmjet këtij aktvendimi lihet në fuqi urdhri përmbarimor, i lëshuar në vitin 2019, i cili hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë euro të tjera. Në ndërkohë me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë eurosh, në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse vendimi ishte për shumën prej rreth 27 milionë eurosh”, tha Hana.

Hana theksoi se gjyqtari i rastit nuk e ka marrë për bazë vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, që kërkonte realizimin e një ekspertize financiare.

“Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të Arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga Arbitrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë euro më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit”, tha Hana.

Zyrtari kryesor financiar i ndërmarrjes publike, Fehmi Kelmendi, shprehu dyshimet se gjykatës të caktuar brenda komerciales ndikohen nga kompania “Dardafon”.

“Dyshimi ynë pse është skemë kriminale është se vendimi duhet të ekzekutohet në shkallën e parë, ndërsa ne kur eventualisht, jemi të sigurt që do fitojmë në shkallën e dytë nuk mund t’i kthejmë mjetet prapa. Ne mund të vijmë në situatën që me na mbetë në dorë vendimi i shkallës së dytë që është në favor tonin, mirëpo paratë nuk kemi si t’i kthejmë sepse kompania “Dardafon” nuk ka asnjë aktivitet nga viti 2019. Ne dyshojmë se kjo kompani ka ndikim të fuqishëm në gjykatës të caktuar brenda Gjykatës Komerciale”, tha Kelmendi.

Për rastin, Telekomi i Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

Nga Telekomi paralajmëruan se do kërkojnë drejtësi në çdo instancë, përfshirë edhe gjykatat ndërkombëtare.

ATV-ja ka kontaktuar me zëdhënësen e Gjykatës Komerciale, mirëpo ajo ka refuzuar të komentojë mbi akuzat e “Telekomit”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA