Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar për Ekonomia Online, e ka quajtur populiste veprimet e Qeverisë karshi faktorit ndërkombëtar. Kreu i Nismas tha se një Qeveri normale do duhej t’i vazhdonte punët ku kanë mbetur e jo për t’i “përmbysur krejt se çka është bërë”.
Sipas Limajt, veprimet eksperimentale po i kushtojnë Kosovës në raport me zhvillimet e brendshme dhe jashtë. Limaj i sheh këto veprime si tendencë për ta rrënuar shtetin nga një “grup individësh”.
“Besoj që të gjithë tashmë jemi të qartë çka do të thotë politika populiste kur politikën e jashtme e përdorni për përfitime të brendshme. Kur nuk dini me dallu interesin strategjik me poteza të përditshëm politike ato i kushtojnë vendit. Kjo vazhdimisht ka qenë apeli im që Kosova duhet ta ruajë kursin e vetë properëndimor. Kosova duhet të bëjë hapa të sigurt në rrumbullaksimin e shtetësisë së vetë. Kjo fatkeqësisht po ndodh tash e tri vite. Këto janë veprime eksperimentale që po i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë vendit tonë mënyra të ndryshme dhe sjellja që ka kjo Qeveri në raport me zhvillimet e brendshme por edhe me pozicionin e Kosovës jashtë”, tha Limaj për EO.
Duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për dëmtimin e partneritetit të SHBA-së me Kosovën, Limaj tha se janë dëshmitarë të shkatërrimit të “shtetit të ndërtuar me shumë sakrifica e mund”.
“Qeveria është duke bërë gabime që nga fillimi sepse tash e ka ndërrua kursin, kursin e drejtimit të vendit. Mentaliteti për të filluar çdo gjë prej zeros duke përmbysur të arriturat është mentalitet që e përmbys vendin. Një vend i qytetëruar, një Qeveri normale e pjekur vazhdon aty ku ka mbetur për ta bërë edhe më mirë saqë është për ta ndryshuar më mirë por jo për ta përmbysur krejt se çka është bërë. Fatkeqësisht ne jemi dëshmitarë që grupe individësh janë ngritur në këmbë për të rrënuar këtë shtet të ndërtuar me shumë sakrifica dhe mund tash e 20 vite”, tha Limaj.