Përgatiti: Arian Hajdaraj
Mbrëmjen e 3 shkurtit të vitit 2021 Lëvizja Vetëvendosje përfundoi fushatën zgjedhore.
Përgjatë 30 ditëve që i paraprinë kësaj date, partia në koalicion me Listën Guxo, nëpër komuna pati dhënë 42 premtime të cilat u shndërruan në obligim meqë fitoi zgjedhjet me 52 për qind të votave, më 14 shkurt 2021.
3 vjet nga marrja e pushtetit, kryeministri Albin Kurti vlerëson se kanë kryer punë të mirë.
“Për këto tre vite dëshmuam që mund të punohet për interesat e qytetarëve…”, tha Kurti.
Megjithëse për njërin prej premtimeve kryesore atë të banimit social, iu deshën tre vjet.
Sidoqoftë, aktivistë të shoqërisë civile që monitorojnë punën e qeverisë, vlerësojnë se nuk u punua mjaftueshëm në realizimin e premtimeve parazgjedhore.
E premtimet që kanë mbetur sipas organizatave joqeveritare Çohu e Lëvizja Fol nuk do të mund të përfundojnë brenda viti të fundit qeverisës.
Por, disa qytetarë janë të kënaqur me punën e Qeverisë. Në trevjetorin e fitores në zgjedhjet parlamentare, një qytetar i Podujevës, në oborrin e tij në fshatin Peran, ngriti shtatore të kryeministrit Albin Kurti.