Përgatiti: Arton Hamiti
Gati dhjetë muaj nga arrestimi, Prokuroria Speciale akoma nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, i suspenduar nga pozita e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në lidhje me rastin, Prokuroria u tregua e rezervuar në përgjigjen dërguar ATV-së.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është duke punuar në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim të dhëna të cilat i kërkoni ju, andaj kërkojmë mirëkuptim nga ana juaj”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Teksa, KEK-u është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv, që nga muaji prill, duke shkelur afatet ligjore ende nuk ka shpallur konkurs të ri.
Në gusht të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut kishte njoftuar se nuk do ta shkarkojë Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs për kryeshef të ri, “pa një vendim nga organet e drejtësisë, apo pa krijimin e rrethanave të cilat Bordi do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”.
Sidoqoftë, sipas ligjit të punës, gjatë kohës së largimit të përkohshëm nga puna, Nagip Krasniqit i takon e drejta e kompensimit në pagë në lartësi prej 50%.
Përkthyer në shifra, për afro 10 muaj, duke i qenë i pezulluar, llogaritet se Krasniqi mori rreth 17 mijë euro, pasi siç mëson televizioni jozyrtarisht kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, paguhet afro 3500 euro në muaj.
Ndërkohë, moshapja e konkursit konform afateve ligjore, sipas Zekirja Shabanit ndodh për shkak të politizimit të Bordit në ndërmarrjen kryesore energjetike në vend.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.






