Përgatiti: Armand Hoti
I gjithi peshon rreth 250 tonë, ndërsa për shkak të kushteve infrastrukturore shpejtësia maksimale me të cilën udhëton, është 60 kilometra në orë.
Ky është i vetmi tren aktiv për transport të udhëtarëve nga Prishtina në Pejë dhe anasjelltas.
Megjithatë, Kosova së shpejti pritet të ketë më shumë binarë e trena të shfrytëzueshëm, pasi dy nga tre fazat për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Hani Elezit deri në Leshak të Leposaviqit, janë afër përfundimit.
“Atje do të thotë janë dy kontrata, po zhvillohen punimet paralelisht, është para përfundimit pjesa e parë nga Hani Elezit deri në Fushë-Kosovë dhe po zhvillohen punimet me dinamikë shumë të mirë nga Fushë-Kosova në Mitrovicë, për të vazhduar me segmentin e tretë që është nga Mitrovica deri në kufi në Leshak”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Hekurudhat e reja të Kosovës, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, do të jenë dukshëm më moderne.
“Ne do ta kemi edhe një fazë tjetër që është elektrifikimi i komplet linjës hekurudhore, pra ajo po bëhet me standarde të larta, një hekurudhë moderne që i plotëson të gjitha kriteret”, tha Durmishi.
Elektrifikimi i hekurudhës, sipas profesorit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Sadullah Avdiu, nënkupton tren më të shpejtë, por edhe vagonë më komodë, sidomos për udhëtarët.
“Elektrifikimi përjashton edhe këta vagonë që i kemi për udhëtarë, nuk i plotësojnë kriteret e lëvizjeve të shpejta… Projekti që është bërë për Han të Elezit e që vazhdon për Mitrovicë, duhet të jetë 100 deri 120 km/h, që kërkojnë lokomotiva të tjera dhe kërkojnë sidomos vagonë të udhëtarëve”, tha Avdiu.
Avdiu thotë se përdorimi i hekurudhave ofron përparësi mjedisore, si dhe financiare.
Synimi kryesor i institucioneve është lidhja hekurudhore e Kosovës me korridore ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të Infrakosit, hekurudhat e Kosovës shtrihen në tërë territorin e vendit, me një gjatësi prej mbi 335 kilometra.





