Përgatiti: Kastriot Tahiri
Vendimi për këmbimin e pronave në Badoc, u shfuqizua këtë të enjte nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Pikërisht këtë vendim e priti Partia Demokratike e Kosovës, për të prishur dhe koalicionin me Lidhjen Demokratike, pas dy vjetëve.
Kryetari i PDK-së, në Prishtinë, Uran Ismajli, përmes një shkrese tha se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK-ja mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre. Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka njoftuar Ismajli.
Megjithatë, pak para votimit për këtë vendim kryetari i komunës së Prishtinës, paralajmëroi këshilltarët komunalë se barrën e pasojave do ta bartin vetë.
“Ju e dini saktë çka thotë manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatojë vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Madje, kryetari bashkë me drejtoreshën e pronave, fajin për këtë këmbim ia hodhën qeverisjes së kaluar.
Para votimit, seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit komunal të Prishtinës e braktisën asamblistët e LDK-së.
Vendimi u miratua me 27 vota për.





