Avokati Asdren Bytyqi në emër të disa kompanive importuese, pritet t’i drejtohet me një kërkesë Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë.
Ai po kërkon ndryshim të menjëhershëm të kodit doganor.
Krejt kjo pasi disa procedura aktuale të parapara me këtë kod po ua vështirësojnë punën kompanive importuese e eksportuese.
“Ju shkaktohen dëme më të mëdha. Është periudha e pritjes e mallit për verifikim, e cila është 14 ditë dhe po ju shkakton dëme sidomos kompanive vendore.. dhe pika tjetër kyçe është mungesa e magazinave doganore, e cila në bazë të ligjit për dogana është e obligueshme. Nuk i kanë ndërtuar depot në mënyrë që malli që ndalohet apo dyshohet për mundësi të falsifikimit”, tha Bytyqi.
Ndryshimi i projekt-kodit doganor dhe akcizave, në bazë të planit legjislativ ishte paraparë të trajtohej në Kuvend në muajin shkurt. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Por, për telashet e bizneseve janë në dijeni edhe deputetët.
“Paralizohen importuesit, qoftë edhe prodhuesit, sepse paguajnë ditë qëndrimi për kamion, edhe në terminal paguajnë 40 euro, sa është dita për një maunë, dhe në këtë drejtim besoj kur të vijë draft i ri, në të do të parashihen edhe këto procedura në mënyrë që u lehtësohet barra importuesve dhe prodhuesve”, tha deputeti i LV-së, Visar Korenica.
Korenica tregon se janë duke e përgatitur edhe një draft për projekt-kodin doganor. /atvlive.tv