Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar sot Bordin e KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se kanë bërë shkelje duke caktuar Përparim Kabashin si ushtrues detyre i kryeshefit në KEK.
Në debatin parlamentar në Kuvend, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, Shala ka thënë se derisa Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK-ut nuk distancohen nga ish kryeshefi i arrestuar Nagip Krasniqi janë po aq përgjegjës sa ai.
“Konsiderojmë të papranueshëm faktin se Bordi i KEK-ut ka reaguar me vonesë në pezullimin e zotëri Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht, çfarëdo mosveprimi apo mosdistancimi nga zotëri Krasniqi, bordi dhe qeveria janë po aq përgjegjës për një rast të tillë, ku drejtori i KEK-ut është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtarë, ushtrim ndikimin dhe konflikt i interesit. Po ashtu, bordi dje bëri shkeljen e radhës duke vendosur ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut Përparim Kabashin i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në KEK”, ka thënë ai.
Javën e kaluar është arrestuar kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, po ashtu për ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.
Dje, pas disa ditëve të arrestimit të Krrasniqit, Bordi i KEK-ut e ka pezulluar atë nga puna, derisa ka emëruar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut.