Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se brenda disa ditësh do të nënshkruhet kontrata me një operator të ri ekonomik për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë.
Ai thotë se kontrata e parasheh se ndërtimi i kësaj rruge duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.
“Rruga për Mitrovicë, e kemi shkëputë kontratën. Ka qenë një kontratë me një operator ekonomik të papërgjegjshëm që jemi detyru vitin e kaluar me e shkëputë kontratën dhe tash jemi në fazën para nënshkrimit të kontratës së re. Është përzgjedhur fituesi dhe janë dakordu me bankat që janë kredi dhënëse dhe pritet nënshkrimi i kontratës brenda disa ditëve, Afati për kryerjen e punimeve është fiks një vit, vit kalendarik e jo vit pune. Do të thotë, prej ditës kur nënshkruhet kontrata, një vit pas në të njëjtën ditë, duhet të dorëzohet punishtja. Kështu që rruga Prishtinë – Mitrovicë, edhe kjo pothuajse përfundon në vitin 2024, pasi që afati i përfundimit të punimeve është në janarin e vitit të ardhshëm”, tha Durmishi. /atvlive.tv