Peticionet në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq nisi mbledhja e nënshkrimeve

Përgatiti: Fatlum Jashari

Pesë ditë para mbylljes së afatit të rregullt, qytetarë në dy nga katër komunat me shumicë serbe në veri, nisën mbledhjen e nënshkrimeve, me synimin final largimin e kryetarëve të cilët fituan mandatet në zgjedhjet të cilat ky komunitet i bojkotoi.

Referuar interesimit të lartë, në mëngjesin e së mërkurës, iniciuesit e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, shpresojnë që të arrijnë 20% apo 3640 nënshkrime të nevojshme nga lista e votuesve qysh të enjten.

“Sot kemi pasur më shumë se një mijë njerëz deri tani, që kur kemi filluar vetëm dy orë më parë. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe ne presim që të mbyllim procesin e nënshkrimeve deri nesër. Ky është vlerësimi ynë. Më duhet të them se ne kemi pritur këtë moment gati një vit, sepse ne si qytetarë jemi të sigurt se kryetari aktual nuk i përmbush përgjegjësitë e tij, veçmas ndaj pakicave. Ne mendojmë se duhet të zgjedhim një të ri, ky nuk është përfaqësuesi ynë”, tha Sanja Krtinic, iniciatore e peticionit.

Nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve 25 ditë pasi morën dritën e gjelbër, e arsyetuan duke thënë se lejen nga Komuna, për përdorimin e hapësirës publike për këtë organizim, e morën vetëm të hënën.

Ndonëse liderët e Listës Serbe u panë tek u prinin qytetarëve drejt sallës ku po mblidhen nënshkrimet, organizatorët mohojnë lidhjen me këtë parti.

“Jo, nuk është (nismë e lidhur me politikën). Jemi vetëm tre qytetarë nga Mitrovica e Veriut. Unë kam punuar në një organizatë joqeveritare dhe shumë njerëz më kanë pyetur a është kjo organizatë prapa peticionit? A është Lista Serbe prapa peticionit? Më duhet të them jo, nuk janë. Jam unë dhe dy kolegët, shokët e mi”, tha Krtinic.

Në një ambient të improvizuar procesi i njëjtë nisi edhe në Leposaviq.

Iniciuesit e peticionit e as qytetarët nuk folën para kamerës.

Prapa saj u shprehën optimistë se brenda afatit do t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme.

Kryetari Lulzim Hetemi nuk foli për organizimin para zyrës së tij.

Ndonëse afatet kanë nisur të rrjedhin më 22, përkatësisht 27 Dhjetor, në Zubin Potok dhe Zveçan, ende nuk ka nisur mbledhja e nënshkrimeve.

Mbledhja e suksesshme e nënshkrimeve, në pajtim me rregullat, procedurat dhe afatet kohore, pasohet me procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve – për çka kërkohet 50% plus një votë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA