Janë identifikuar dy persona me interes për intervistim për shpërthimin e mbrëmshëm në Veri.
Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.
“Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim.
Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani.
Policia ka njoftuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime.
“Mitrovicë Veri 15.01.2024, 23:45. Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raport.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për Paparacin gjatë ditës së martë kanë thënë se një i dyshuar e ka hedhur mjetin shpërthyes në drejtim të dy viktimave, të cilët kanë marrë lëndime trupore.